Ai pranoi se kishte gabuar, kur kishte krahasuar ministren e Integrimit, Cecile Kienge, me orangutangun, por Roberto Kalderoli, politikani italian i Ligës së Veriut, deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i zv/kreut të Senatit.
“I kërkoj ndjesë të gjithëve”, – tha Kalderoli. Ai u shpreh i gatshëm t’i dërgojë ministres së parë me ngjyrë në Itali një buqetë me lule. Ministrja, e lindur në Kongo, pranoi telefonatën e apologjisë nga senatori, por njëkohësisht e ftoi atë të reflektonte thellësisht.
Krahasimi i tij ngjalli jo pak kritika nga politikanët e vendit, madje disa shkuan më larg dhe i kërkuan atij dorëheqjen. Kryeministri i Italisë, Enriko Leta, tha se komentet shkojnë përtej të gjithë kufijve dhe shprehu solidaritetin në mbështetje të Cecile.
Burime pranë kreut të ekzekutivit italian i thanë BBC-së se Leta ende nuk e quan të mbyllur këtë çështje.
Gjatë një mitingu në fundjave, ai tha se fotografia e ministres, së lindur në Kongo, i kujtonte figurën e një orangutangu. Kalderoli tha se suksesi i saj ka inkurajuar emigrantët e paligjshëm dhe se ajo duhet të ishte ministre në vendin e saj.
Deklarata e Kalderolit nuk është e para, që vjen nga politikanët e Ligës së Veriut, të cilët shpesh kanë ofenduar Kiengen, e cila u vendos në Itali në vitin 1983 nga Republika Demokratike e Kongos.
Top Channel