Një muzikant norvegjez, i frymëzuar nga idetë ekstremiste dhe masakra që realizoi Anders Behring Breivik, u arrestua këtë të martë në Francë me dyshimin se po përgatiste një sulm madhor terrorist.
Ministri i brendshëm i Francës deklaroi se Kristian “Varg” Vikerness “përbën një rrezik potencial për shoqërinë”. Ai u arrestua në Francën Qëndrore pasi ai dhe bashkëshortja e tij blenë katër pushkë.
Vikerness, i konsideruar nga autoritetet franceze si një neonazist, në të shkuarën kishte shprehur admirim dhe kishte marrë një kopie të manifestit të Breivik, i cili është dënuar me 21 vite heqje lirie në Norvegji, për vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve në një sulm të çmendur terrorist në vitin 2011.
Një prokuror francez deklaroi se Vikerness ka pasur kontakte të vazhdueshme me Breivik, i cili duket se i ka kërkuar që të vazhdojë të përmbushë “misionin e tyre të përbashkët”.
”Ka disa veprime që tregojnë se Vikerness mund të ishte duke u përgatitur për të kryer një sulm terrorist dhe prandaj ai u ndalua”, deklaroi një prokuror.
Këngëtar i grupit të njohur të rrymës “black-metal”, “Burzum”, Vikerness ka vuajtur 15 vjet burg në Norvegji, për vrasjen e këngëtarit të një grupi rival dhe djegie të kishave.
Top Channel