Shefi i negociatave për paqe, nga grupi rebel kolumbian FARC, ka bërë të ditur se konflikti i armatosur, që ka zgjatur për afro 5 dekada, është drejt fundit.
Ivan Marquez, i cili po merr pjesë në bisedimet me qeverinë kolumbiane në Kuba, ka bërë thirrje ndaj partive të majta dhe sindikatave, të bashkohen me përpjekjet për arritjen e paqes.
Qeveria kërkon që marrëveshja për paqe të arrihet deri në nëntor. Por, Marquez paralajmëroi kundër nxitimit për marrjen e një vendimi të tillë.
“Po, është e mundshme, që të arrihet një marrëveshje deri në nëntor. Por, që të arrish paqen, duhet kohë. Një marrëveshje e keqe paqeje është më e dëmshme se sa një luftë”, tha ai, gjatë një interviste për rrjetin kolumbian RCN.
Bisedimet e para të drejtpërdrejta mes grupit më të madh rebel në Kolumbi dhe qeverisë nisën nëntorin e vitit të kaluar.
Shefi i negociatave nga qeveria, Humberto de la Calle, tha se synimi është të binden rebelët t’i japin fund betejës së tyre të armatosur dhe të bashkohen me procesin politik.
Një marrëveshje është arritur tashmë mbi reformën e tokës, por negociatat vazhdojnë për 5 tema të tjera në axhendë. Megjithatë, në Bogota, shumë njerëz janë skeptik në lidhje me deklaratën e Ivan Marquez.
Ata e shohin pjesëmarrjen e rebelëve në bisedimet për paqe, si një pretekst për të fituar kohë dhe për t’u rigrupuar.
Top Channel