
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy deklaroi se nuk do të bjerë pre e “thirrjeve shantazhuese” për dorëheqje, që e akuzojnë për marrje ryshfetesh.
Rajoy tha se do të përmbushë mandatin që i kanë besuar zgjedhësit spanjollë.
“Sundimi i ligjit nuk do të thotë shantazh ndaj institucioneve demokratike. Administrata e drejtësisë, policia gjyqësore dhe administrata tatimore kanë vepruar, veprojnë dhe do të veprojnë me pavarësis të plotë”, tha ai.
Kryeministri u shpreh për një hetim të thellë dhe tha se ishte i gatshëm të vendoset në dobi të këtij hetimi.
“Unë këmbëngul që në një demokraci serioze, si kjo e jona, hetimet të vazhdojnë dhe unë do të vë veten time në shërbim të hetuesve”, tha Rajoy.
Reagimi i tij mbërriti pasi gazeta ‘El Mundo’ publikoi disa tekste mesazhesh që besohet se lidhin shefin e ekzekutivit spanjoll me njeriun në qendër të skandalit të pagesave të jashtëligjshme.
Sipas të përditëshmes spanjolle, Rajoy i ka përcjellë mbështetjen e tij Luis Barcenasit, ish-shefi i Thesarit të Partisë Popullore në pushtet. Barcenas është aktualisht në arrest, në pritje të procesit gjyqësor për korrupsion dhe evazion fiskal. Ai mohon cdo akuzë, ashtu si edhe vetë Rajoy.
Janë disa prej gazetave vendase që pretendojnë se Rajoy dhe politikanë të tjerë të lartë kanë pranuar pagesa të paligjshme, njoftime këto acaruese për një vend në mes të reçesionit e një papunësie rekord.
Pretendohet se Barcenas menaxhonte një fond të fshehtë të Partisë Popullore, donacionet për të cilin përfitoheshin nga manjatët e ndërtimit e më pas u shpërndaheshin në para të thata liderëve partiakë.
Barcenas ka qenë në vitet 1991 deri 2010 përgjegjës për financat e PP. Për të dyshohet se ka fshehur në llogari rrjedhëse jashte kufijve gati 48 milionë euro.
Top Channel