Netanyahu paralajmëron: Sulmet ndaj Iranit do të shtohen në ditët në vijim
Parlamenti turk ka ndryshuar kodin qeverisës të ushtrisë, veprim ky që redukton influencën politike të forcave të armatosura të vendit që synon t’i bashkohet BE-së.
Kodi fillestar i jepte ushtrisë përgjegjësinë për ruajtjen e Republikës së Turqisë, një klauzolë kjo e përdorur më parë si justifikim për grushte shteti.
Tani kodi i ri thotë se detyra kryesore e ushtrisë është ruajtja e vendit nga kërcënimet e jashtme. Ushtria prej kohësh është deklaruar si një mbrojtëse e Turqisë laike dhe ka organizuar tre grushte shteti mes viteve 1960-1980.
Por ajo ka edhe shumë histori tensionesh me Partinë pro-islamike për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Recep Tayip Erdogan.
Që kur erdhi në pushtet në vitin 2003, zoti Erdogan ka reduktuar kompetencat e gjeneralëve përmes një seri reformash. Ai gjithashtu ka dërguar për gjykim qindra oficerë, përfshirë disa komandantë, me pretendimin se ishin të përfshirë në grushte shteti ndaj qeverisë.
Kodi i ndryshuar tani ripërcakton përgjegjësinë e ushtrisë duke i dhënë asaj rolin e “mbrojtëses së kombit turk nga kërcënimet dhe rreziqet e jashtme, si dhe të ruajtjes dhe përforcimit të pushtetit ushtarak për të garantuar sigurinë”.
Partia e kryeministrit, AKP, e propozoi këtë ndryshim pas valës së protestave anti-qeveritare që shpërthyen në qershor, fillimisht me pretekstin e mbrojtjes së një parku.
Por protestuesit thanë se Erdogan po rrit autoritetin e tij. Ai i ka akuzuar kritikët për “komplot kundër qeverisë së zgjedhur në rrugë demokratike”.
Top Channel