Shitje sipërfaqesh në Ksamil dhe Vlorë

13/07/2013 00:00

Ministritë shqiptare dhe drejtoritë rajonale pavarësisht faktit se po
kalojnë një periudhë tranzitore të dorëzimit të pushtetit po vijojnë me
shpejtësi procesin e shitjes së pronës shtetërore.

Ministria e Mbrojtjes mban dhe numrin më të madh të pronave që po kalon te sektori privat përmes ankandeve që po organizon. Ajo që të bie në sy në këtë proces është kalimi te privati i pronave, reparteve ushtarake dhe ofiçinave, të cilat janë në zona të lakmuara bregdetare të Shqipërisë, si Ksamil dhe Vlorë. Por procesi i shitjes së pronës shtetërore është shtrirë dhe te  fabrikat shtetërore, postat e policisë, madje dhe objekte si teatro të kukullave. Vetëm për muajin korrik Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave ka përcaktuar dy data ankandi për tetë objekte që dalin në shitje, katër prej të cilave i takojnë Ministrisë së Mbrojtjes. Në Ksamil të Sarandës kjo ministri ka nxjerrë në shitje një pronë të papërcaktuar se çfarë funksioni ka aktualisht me sipërfaqe me 3000 metra katrorë dhe me një vlerë fillestare të ankandit prej 12 milionë lekësh. Në Babicë të Vlorës, kjo ministri ka nxjerrë për shitje një shtabin e një reparti ushtarak me sipërfaqe 625 metra katrorë dhe me vlerë fillestare të ankandit 2 milionë lekë. Përfaqësuesit e mazhorancës së majtë të zgjedhur në 23 qershor i kanë cilësuar këto vendime të fundit të qeverisë shqiptare si të papërgjegjshme dhe kanë theksuar se ato do të kthen mbrapsht në momentin kur kjo shumicë të marrë “de jure” pushtetin ekzekutiv. Deputetë të PS-së u kanë bërë thirrje ministrave të Berishës për përmbajtje dhe për mosvijimin e abuzimeve me pronën e përbashkët të shqiptarëve, për të cilat u ndëshkuan dhe në zgjedhje.

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e drejtuar nga Arben Imami është akuzuar vazhdimisht nga PS se ka favorizuar klientët politikë të PD-së me shitjen e një pjese të çmuar të pasurisë dhe pronës shtetërore që kjo ministri ka në administrim. Por me sa duket Imami nuk ka ndërmend të ndalet. Vetëm për muajin korrik ministria që ai drejton ka nxjerrë në shitje katër objekte, dy prej të cilave në bregdetin shqiptar. Interesant është fakti se për shitje është nxjerrë dhe një pronë e cituar vetëm me numrin 690 në Ksamil të Sarandës me një sipërfaqe 3000 metra katrorë, për një vlerë prej rreth 12 milionë lekësh, të vendosura si çmim fillestar për ankandin i cili do të mbahet pas tri ditësh. Po kështu, Babicë të Vlorës, kjo ministri nxjerr në shitje shtabin e repartit ushtarak, me një sipërfaqe prej 625 metra katrorësh me një vlerë fillestare të ankandit rreth 2 milionë lekë. Po kështu, kjo ministri nuk ka kursyer të nxjerrë në shitje dhe një grup deposh municioni, të cilat janë të vendosura në Urën Vajgurore në Berat, të cilat në total kapin sipërfaqen e rreth 24 mijë metra katrorë. Për sa i përket ankandit të datës 30 korrik, kjo ministri ka vendosur të shes një ofiçinë në zonën që quhet Qafa e Koshovicës në Fier, me një sipërfaqe të konsiderueshme prej rreth 11 mijë e 300 metra katrorë.

Objektet

Por nuk është vetëm Ministria e Mbrojtjes ajo që     po vijon shitjen e objekteve. Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Vlorë ka nxjerrë një shitje fabrikën dhe depot e lulediellit në Delvinë me një sipërfaqe prej rreth 1 mijë e 200 metrash katrorë. Interesante është nxjerrja për shitje e postës së policisë kufitare në Koshovicë të Gjirokastrës nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Privatizim në datën 30 të këtij muaji është vendosur dhe për godinën e ish- teatrit të kukullave në Kukës, me një sipërfaqe prej 110 metra katrorë.

Top Channel