Rusi, aksident rrugor, 18 viktima

13/07/2013 00:00

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në Moskë në një aksident mes një autobusi pasagjerësh dhe një kamioni që transportonte zhavorr.

Të paktën 25 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në të njëjtën ngjarje, që është verifikuar në fshatin Oznobishin, rreth 40 kilometra në jug të kryeqytetit rus.

Pamje nga vendi i ngjarjes kanë treguar kamionin e përmbysur anash dhe autobusin gjysmë të thyer nga përplasja e dhunshme. Autoritetet lokale kanë deklaruar se dita e hënë do të jetë ditë zije për viktimat.

Mediat ruse raportojnë se shoferët e dy mjeteve janë mes personave të plagosur që janë dërguar në spital. Të paktën 30 ekipe mjekësore janë mbledhur në vendin e ngjarjes, duke transportuar disa prej të lënduarve në spital me helikopterë. Një fëmijë thuhet se ka qenë mes viktimave.

Agjencia “Ria Novosti” citon një dëshmitar të thotë se shoferi i kamionit kishte parakaluar shumë vetura me shpejtësi dhe ndodhej në anën e gabuar të rrugës kur u përplas me autobusin, që transportonte 60 persona në bord.

Agjencia ka postuar gjithashtu pamjet të regjistruara nga kamera e një makine tjetër, që tregon momentin e përplasjes.

Shefi i departamentit të shëndetësisë në Moskë, Georgy Golukhov deklaroi për “Ria Novosti” se disa nga viktimat ishin dëmtuar më rëndë se të tjerat pasi ishin goditur nga zhavori që u derdh nga traileri i kamionit.

Rrugët në Rusi kanë një sistem jashtëzakonisht të dobët sigurie dhe çdo vit në vend regjistrohen rreth 25 mijë viktima në aksidente të tilla. 

Top Channel