Malala Yousafzai, vajza pakistaneze e qëlluar nga talebanët, ka thënë para OKB-së se librat dhe mjetet e shkrimit i frikësojnë ekstremistët, teksa bën thirrje për përhapjen e edukimit ndaj të gjithëve.
Duke folur në ditën e 16-vjetorit të lindjes së saj, Malala tha se përpjekjet për ta bërë atë të heshtë kanë dështuar. Ajo u qëllua me plumb në kokë, në një autobus shkolle nga talebanët, për shkak të fushatës së saj mbi të drejtat e vajzave.
Fjalimi i saj, në selinë e OKB-së në New York, ishte i pari i bërë në publik, që prej incidentit të tetorit në Pakistanin veri-perëndimor.
Malalas i janë njohur meritat e ngritjes së problemit të edukimit të grave në vëmendjen globale. Rreth 1/4-ta e grave të reja në botë nuk kanë përmbushur ende edukimin primar.
Pasi u qëllua me armë zjarri, Malala fluturoi nga Pakistani për në Britani, për kurim, dhe tashmë jeton në Birmingham të Anglisë. Mes disa “standing ovations”, Malala tha para OKB-së, të premten, se sulmi i talebanëve e bën atë edhe më të vendosur.
“Terroristët thanë se do të ndryshonin objektivat dhe ambiciet e mia, – tha ajo, – por, asgjë nuk ndryshoi në jetën time, përveç diçkaje: dobësia, frika dhe mungesa e shpresës tashmë kanë vdekur. Forca, fuqia dhe kurajoja kanë lindur”.
Më pas, vazhdoi: “Dua që edukimi të përhapet edhe për djemtë e vajzat e talebanëve, të të gjithë terroristëve apo ekstremistëve”.
Malala, e cila konsiderohet si pretendente për çmimin Nobel për Paqe, tha se është duke luftuar për të drejtat e grave, sepse “ato janë të vetmet, që vuajnë më shumë se kushdo”.
Top Channel