
Rreth 300 mijë persona në lindje të Kinës kanë braktisur shtëpitë e tyre pasi tajfuni “Soulik” po lëviz drejt zonës dhe pas paralajmërimeve për rrëshqitje të mundshme toke.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat shtetërore kineze, sipas të cilave erëra me 119 kilometra në orë vërshuan në brigjet e provincës së Fuzhianit.
Sipas agjencisë “Xinhua”, autoritetet po implementojnë planet e emergjencave, pasi shirat e dendura kanë lënë pas rreth 200 persona të vdekur ose të humbur.
Më herët tajfuni “Soulik” shkaktoi përmbytje të mëdha në ishullin e Tajvanit. Deri tani, një person raportohet të jetë vrarë në ishull, ndërsa mbi 8.500 persona të tjerë janë evakuar nga zona të ndryshme, përfshirë ato malore, nga frika e rrëshqitjeve të tokës.
Në Fuzhian dhe Zhejiang, një tjetër provincë bregdetare kineze, fluturimet dhe udhëtimet hekurudhore u ndërprenë, ndërsa varkat e peshkimit u thirrën të ktheheshin në breg.
Në Tajvan, një oficer policie u vra nga rënia e tullave të një ndërtese, ndërsa persona të tjerë morën plagë të lehta nga i njëjti episod, si dhe nga rrëzimi i pemëve e aksidentet rrugore.
Erërat e fuqishme dhe shirat e dendura kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërkohë që banorët kanë ezauruar të gjitha furnizimet në supermarkete.
“Soulik” është tajfuni i parë që godet Tajvanin këtë vit dhe frika ka qenë e madhe për shkak se ishulli ishte toka e parë ku dukuria natyrore bëri zbarkimin. Rreth 50 mijë ushtarë janë vendosur në gatishmëri.
Top Channel