Hetimet për aksidentin në Francë

13/07/2013 00:00

Aksidenti në jug të Parisit nuk është pasojë e ndonjë gabimi njerezor. Ministri francez i transportit, Frederik Kuviljë vlerësoi rolin e drejtuesit të trenit sepse mundi të shmangë një tragjedi edhe më të madhe.

Duke folur për radion RTL, Kuviljë tha: “Fatmirësisht makinisti pati reflekse të jashtëzakonshme dhe menjëherë preku sinjalin e alarmit, duke parandaluar përplasjen me një tren tjetër që vinte në drejtim të kundërt, cka mund të kishte goditur vagonët që dolën nga shinat, brenda pak sekondash. Për këtë mund të themi që nuk është një gabim njerezor”.

Hetimet, sic tha ai, do të përqëndrohet tek ndërrueset e shinave apo infrastruktura. Treni u nis nga Parisi pas mesditës për në Limozh, kur gjashtë dhe jo katër prej vagonëve, sic u tha në fillim, dolën nga shinat në Britanji Syr Orzh. Një prej tyre u përplas me vendstacionin.Të paktën 30 persona u plagosën në aksident, tetë prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Hetime po kryehen nga kompania e hekurudhave SNCF, autoritetet e drejtësisë dhe agjensia e sigurisë franceze BEA. Rrugët franceze të transportit ishin të ngarkuara në kohën e përplasjes si pasojë e lëvizjeve për fundjavën, të dielën është Dita e Bastijes.

Kompnia hekurudhore raportoi se të paktën 385 pasagjerë ndodheshin në tren, kur ndodhi aksidenti. Presidenti francez, Fransua Holond udhëtoi menjëherë drejt vendngjarjes. Ai kërkoi mbylljen e stacionit për tre ditë, ndërsa kryhen hetimet.

“Duhet të shmangim spekulimet e panevojshme. Cfarë ka ndodhur duhet të dalë në pah dhe të nxirren konkluzionet e duhura”. Korespondenti i BBC-së në Francë tha se në muajin maj kompania e hekurudhave njoftoi pasagjerët për kryerjen e punimeve në ndërruesit e shinave në këtë zonë, ku puthiten linjat ndërqytetase mes tyre. Nuk është ende e qartë thotë ai nëse problemi lidhet me aksidentin e të premtes.

Top Channel