Aksidentet në Amerikën Veriore, shtohen viktimat

13/07/2013 04:55

Një zyrtar i spitalit të San Francisco-s bëri të ditur se numri i viktimave nga përplasja e aeroplanit ka shkuar në tre, pasi një tjetër vajzë kineze ndërroi jetë prej plagëve të marra.

Ajo ishte mes dhjetra të dëmtuarve, që janë ende të shtruar në spital, pasi fluturimi 214 i “Asiana Airlines” goditi një mur mbrojtës, teksa ulej për në aeroport, dhe më pas u përplas mbi pistë, javën e kaluar.

Zyrtarët kanë konfirmuar gjithashtu se njëra prej 2 viktimave të para është goditur nga zjarrfikësja, teksa gjendej e shtrirë mbi pistën e aeroportit.

Ye Mengyuan, 16 vjeçe, u gjend e mbuluar me shkumbën e zjarrfikëses dhe me gjurmët e gomave të kamionit. Nuk është e qartë, nëse ajo ishte ende gjallë, përpara se të merrte këtë goditje.

Dhjetra pasagjerë u plagosën gjithashtu, edhe pse shumica pësuan dëmtime të lehta.

Quebec, 28 viktima, 22 të zhdukur

Policia kanadeze njoftoi se janë gjetur tashmë 28 trupa të pajetë, pas incidentit të trenit në Lac-Megantic të Quebec-ut.

22 persona të tjerë janë ende të zhdukur dhe prezumohen të vdekur, pasi treni-çisternë nafte doli nga shinat dhe shpërtheu në qytetin e mësipërm.

Ndërkohë, një organizim për ndezjen e qirinjve për të vdekurit, i programuar për të premten, u anulua nga policia për shkak të frikës së mbledhjes së turmave të mëdha.

Hetimet janë ende duke vazhduar mbi shkakun e shpërthimit, gjë që bëri që rreth 2000 rezidentë të detyroheshin të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Qendra e qytetit, ku zona të mëdha janë shkatërruar thuajse plotësisht, po trajtohet si skenë e krimit, teksa e shtuna do të shënojë 1 javë nga fatkeqësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA