Tiranë, zënia e hapësirave publike

12/07/2013 00:00

Zënia e hapësirave të gjelbërta nga tavolinat e lokaleve është shndërruar në një problem kryesor për banorët e zonës së Kombinatit.

Lidhur me këtë shqetësim te banoreve, kryetari i Njësisë Bashkiake 6, Krenar Cenollari ka deklaruar se prej kohësh ka ngritur këtë shqetësim në Bashki, por askush nuk i është pergjigjur. Madje, Cenollari ka propozuar dhe një zgjidhje për këtë situatë.

“Ne si pushtet bashkiak kemi marrë masat duke njoftuar Bashkinë me më shumë se 100 shkresa, ku bëjmë me dije shqetësimin tonë për zaptimin e hapësirave të gjelbra nga këto biznese. Gjithashtu, i kemi bërë të qartë nevojën që rruga dytësore e hyrjes në lagjen Kombinat të kalojë në favor të bizneseve të tjera, por s’kemi marrë asnjë përgjigje”, ka deklaruar Cenollari.

Cenollari është shprehur se pavarësisht kërkesave të dërguara në Bashki, qoftë për këtë propozim, qoftë edhe për ndëryrjen e Policisë Bashkiake për pastrimin e zonës, askush nuk i është përgjigjur.

“I bëj thirrje zotit Basha që të marrë masa, të sjellë Policinë Bashkiake dhe të largojë nga hapësirat e gjelbra këto tavolina. I kërkoj kalimin në shërbim të bizneseve të rrugës dytësore të hyrjes në zonën e Kombinatit”, ka thënë ai.

Propozimi i bërë nga kryetari i Njësisë Bashkiake 6 ka gjetur dhe mbështetjen e bizneseve, të cilat janë të gatshme t’i zhvendosin tavolinat e tyre në rrugë, duke paguar të gjitha detyrimet përkatëse.

“Ne jemi të gatshëm t’i heqim tavolinat nga ambjentet e gjelbra dhe t’i vendosim diku tjetër. Jam dakord edhe që të paguaj të gjitha detyrimet”, është shprehur Adriatik Hamza, pronar i një lokali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB