
Një drejtues i lartë i “Ushtrisë së Sirisë së Lirë”, forca ushtarake e opozitës që lufton regjimin e presidentit Bashar al Assad është vrarë nga grupet rivale të lidhura me Al Kaedan.
Lajmi njoftohet nga burime pranë rebelëve në Siri. Një zëdhënës i “Ushtrisë së Sirisë së Lirë” tha për mediat ndërkombëtare se kishte marrë një telefonatë nga një grup radikal i lidhur me Al Kaedan që i kishin thënë se Kamal Hamami ishte vrarë.
Hamami ishte njëri prej komandantëve më me peshë në luftën kudër Bashar Al Assad. Ai mendohet se është vrarë gjatë një takimi me përfaqësues të grupit radikal “Shteti Islamik i Irakut” për të diskutuar mbi planet e luftës në Siri.
“Ata më morën në telefon dhe më thanë se kishin vrarë Hamamin dhe thanë se do të vrisnin të gjithë drejtuesit e Këshillit Ushtarak të Ushtrisë së Sirisë së Lirë”, deklaroi për Reuters zëdhënësi i rebelëve, Qaasem Saaddedine.
Përcarja mes kryengritësve është shqetësuese dhe ka qenë faktori kryesor që ka stepur perëndimin dhe vendet arabe për të ndihmuar me armatim rebelët, nga frika se këto armë mund t’u kthehen shpejt kundër.
BBC raporton se ky ishte rasti i fundit, por mes grupeve rivale brenda frontit opozitar ka plot incidente të tjera. Shpesh, thotë korespondenti i BBC në Liban, Paul Woods, militantët e grupeve që përbëjnë opozitën luftojnë si mes njëri-tjetrit, ashtu edhe kundër ushtrisë së Assad.
Në Aleppo, kryeqendra e rezistencës së rebelëve, popullsia civile është hedhur në protesta kundër kryengritësve që i fajësojnë për rrethimin e qytetit nga ana e ushtrisë së presidentit, duke bërë që qyteti të vuajë një krizë buke.
Top Channel