Agjentët e Guardia di Finanza në Itali kanë shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare, aktive në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, në pranga kanë përfunduar 12 shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim, përfshirë këtu kreun e tyre të identifikuar me emrin Emiljano Spahiu, 35 vjeç.
Sipas burimeve, në këtë trafik kanë rezultuar të përfshirë edhe dy shtetas italianë, të arrestuar më herët gjatë javës, njëri në posedim të 12 kilogramëve marijuhanë dhe tjetri në 620 kg të së njëjtës drogë, që i mbante të magazinuara në kantierin e tij të ndërtimit.
Më herët gjatë muajit, komanda provinciale e Varezes, në veri të vendit fqinj dhe të Leçes në jug të vendit, kryen një operacion antidrogë në Martinjano, në afërsi të bregdetit të Pulias.
Gjithësej u sekuestruan një ton e dyqind kilogramë marijuhanë dhe një sasi e konsiderueshme armësh të sjella nga Shqipëria. Rojet financiare arrestuan dy shtetas italianë dhe dy shqiptarë që udhëtonin drejt veriut të vendit me një furgon.
Fillimisht drejtuesi i automjetit nuk iu bind shenjës për ndalim, madje u përpoq të godiste patrullën e rojeve financiare, por pa mundur t’i shpëtonte kapjes.
Në furgon u gjetën 900 kilogramë marijuhanë, dy pistoleta me silenciatorë, një mitroloz, pesë kallashnikovë dhe 400 plumba.
Ndërsa në një zonë pyjore pranë pikës ku u kap furgoni u zbuluan edhe 300 kilogramë të tjera marijuahanë, që mendohet se ishte pjesa tjetër e ngarkesës që do të shpërndahej më pas.
Ndërsa një ditë para këtij operacioni, të paktën 43 persona, gati të gjithë shqiptarë, përfunduan në prangat e policisë italiane me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimit në aktivitete kriminale.
Të ardhurat e dy organizatave, që ishin aktive në gjashtë rajone në veri të vendit fqinj, investoheshin në sektorin e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe Itali.
Top Channel