Siri, civilët në protestë kundër kryengritësve

11/07/2013 15:20

Me qindra banorë të qytetit sirian të Alepos u tubuan në një manifestim madhor kundër kryengritësve, bllokada e të cilëve mbi qytetin po shkakton një zi buke.

Kryengritësit kontrollojnë rrugët kryesore që lidhin qytetin më të madh sirian me pjesën tjetër të vendit dhe kanë bllokuar çdo furnizim, në përpjekje për të dobësuar rezistencën e trupave të presidentit al-Assad që ndodhen në disa lagje të Alepos.

Midis të tjerave, janë bllokuar edhe furnizimet e domosdoshme me mjekime, duke bërë kushtet e jetesës për dy milionë civilët e Alepos jashtëzakonisht të vështirëa.

Përveç bllokadës, banorët po vuajnë edhe luftimet e vazhdueshme në qytet, me qindra civilë që deri më tani kanë mbetur viktimë mes palëve ndërluftuese.

Ndërkohë, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është solidarizuar me banorët, duke i kërkuar rebelëve që të lejojnë karvanët me ndihma humanitare që të mbërrijnë në qytet.

Mediat ndërkombëtare, gjithashtu raportuan se në këtë manifestim ndodhi vrasja me snajper e një protestuesi, por të dhënat mbi këtë ngjarje janë të paqarta.

Lufta civile, e nisur në mars 2011, i ka kushtuar jetën mbi 100 mijë sirianëve, me miliona që kanë braktisur vendin e shkatërruar pothuajse tërësisht nga luftimet e ashpra të përqendruara në zonat urbane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA