
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me planet për t’i dhënë katër avionë luftarakë të tipit “F-16” Egjiptit, pavarësisht destabilitetit politik në vend. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar amerikan.
Njoftimi vjen në një kohë kur Uashingtoni vazhdon të shqyrtojë rrëzimin e presidentit Morsi javën e kaluar nga ushtria.
Ndihma masive ushtarake që Amerika po i jep Kajros mund të ndërpritet me ligj nëse Uashingtoni vlerëson se largimi i liderit islamik u bë përmes një grushti shteti.
Vllazëria Myslimane, që mbështet zotin Morsi, po kërkon rivendosjen e tij në krye të shtetit. Mbështetësit e saj kanë mbajtur protesta masive në afërsi të kazermës së kryeqytetit, ku dyshohet se ish-presidenti po mbahet.
Ditën e hënë mbi 50 anëtarë të Vllazërisë u vranë në përleshjet me ushtrinë. Autoritetet e reja nuk kanë treguar se ku ndodhet zoti Morsi, por një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se ai ndodhet në një “vend të sigurt” dhe se “po trajtohet me dinjitet”.
Autoritetet amerikane deklarojnë se Uashingtoni do t’i dorëzojë katër avionët luftarakë në katër javët e ardhshme. Ata janë pjesë e një marrëveshjeje prej 20 avionësh, tetë prej të cilëve u dërguan në Egjipt në janar, ndërsa tetë të tjerët do të dërgohen më vonë gjatë vitit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney deklaroi të mërkurën se, nuk do të ishte në interesin më të mirë të Amerikës të bënte ndryshime imediate në programet e asistencës.
Top Channel