Rusi, verdikti “pas vdekjes” për Magnitsky-n

11/07/2013 02:40

Një gjykatë në Moskë pritet të japë vendimin mbi çështjen e evazionit fiskal të gjykatësit të ndjerë rus, Sergei Magnitsky.

Magnitsky u arrestua në 2008-n, pasi akuzoi zyrtarët për evazion fiskal, por më vonë këto akuza ranë mbi vet atë.

Vdekja e tij në paraburgim, një vit më pas, solli një mosmarrëveshje të theksuar diplomatike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

William Browder, shefi ekzekutiv i “Hermitage Capital Management”, me seli në Londër, të cilin përfaqësonte zoti Magnitsky, u akuzua gjithashtu për evazion fiskal.

Prokurorët rusë i kanë kërkuar gjykatës së distriktit Tverskoi, në Moskë, të dënojë Magnitsky-n dhe menjëherë më pas të pushojë çështjen, për shkak të vdekjes së tij.

Besohet se ky do të jetë rasti i parë në historinë e ish-Bashkimit Sovietik, apo edhe Rusisë së sotme, që një i dyshuar do të gjykohet pas vdekjes. Të afërmit e Magnitsky-t e konsiderojnë këtë çështje si të jashtëligjshme.

I punësuar si një auditor i “Hermitage”, Magnitsky zbuloi atë, që ai vet e përshkroi si një rrjet korrupsioni, që përfshinte edhe zyrtarë rusë të financave, përfshi edhe vjedhjen e supozuar të më shumë se 200 milionë dollarëve.

Pasi raportoi këto akuza tek autoritetet përkatëse, ai u arrestua si i dyshuar, që ka ndihmuar në këtë evazion fiskal. Ai vuante nga pankreasi dhe ndërroi jetë në qeli në 2009-n, por një hetim i këshillit presidencial rus, mbi të drejtat e njeriut, doli në konkluzion se ai ishte rrahur disa herë dhe kishte refuzuar trajtimin mjekësor.

Dhjetorin e kaluar, një gjykatë ruse shpalli fajtor dhe dënoi me burg një doktor burgu, për neglizhencë në rastin e vdekjes së Magnitsky-t.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA