Portugali, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

11/07/2013 16:00

Presidenti i Portugalisë, Anibal Cavaco Silva refuzoi kërkesën e partive opozitare për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vendin e goditur rëndë nga kriza e Eurozonës.

”Qeveria aktuale ka të gjithë autoritetin për të kryer detyrat e saj”, deklaroi presidenti në një deklaratë televizive drejtuar kombit.

Ai gjithashtu i kërkoi partive politike që të arrijnë një marrëveshje të shpejtë, në mënyrë që të kryhen reformat e nevojshme për të marrë këstin e radhës së dorëzanisë europiane.

Portugalia u zhyt në krizë të thellë politike pasi ministri i jashtëm dhe ai i financave dhanë dorëheqjen gjatë javës së shkuar.

Në largimin e tij, ish-ministri i financave theksoi se huaja e marrë nga vendet e BE-së nuk po funksionon dhe se vendi ka nevojë për masa tepër më drastike për të zgjidhur problemet e tij të rënda financiare.

Si rrjedhojë e situatës së paqartë politike, interesi për huamarrjen, nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit me afat të mesëm apo të gjatë maturimi pësoi gjatë javës një rritje rekord për Lisbonën zyrtare.

Sipas kryeministrit Passos Coelho, ekziston një marrëveshje për të mbajtur në këmbë qeverinë, pasi për këtë është rënë dakord me partnerët e qendrës së djathtë.

Portugalisë iu akordua një dorëzani rekord prej 78 miliardë eurosh në maj 2011, me kushtin që të zbatonte një program të fortë shkurtimesh dhe reduktimi të investimeve.

Megjithatë, problemet e fundit financiare kanë vendosur në rrezik axhendën portugeze për daljen nga kjo krizë.

Portugalia është një prej vendeve më të goditura nga kriza e Eurozonës, ndërsa prej dy vitesh njeh vetëm recesion, ndërsa ekonomia pritet të tkurret edhe me 2,3% më shumë gjatë këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA