Aleatët amerikanë në Amerikën Qëndrore dhe atë Jugore u bashkuan në një kërkesë zyrtare për shpjegime mbi skandalin e përgjimeve në të cilin janë përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aleatët tradicionalë të Uashingtonit në rajon, Meksika, Brazili, Kolumbia dhe Kili shpreshën “shqetësimin e tyre të thellë” mbi programin e spiunazhit të demaskuar nga i shumëkërkuari për tradhëti kombëtare, Edward Snowden.
Programi, i udhëhequr nga Agjensia e Sigurisë Kombëtare vendosi nën përgjim telefonata dhe komunikime private e zyrtare në të gjithë globin.
Edward Snowden, aktualisht në Rusi, ia ka drejtuar më shumë se 20 shteteve strehim politik, në mënyrë që të shpëtojë nga përndjekja në SHBA.
Shqetësimi i vendeve latine duket se lidhet me publikimin e informacioneve shtesë, mbi shkallën e gjerë të përgjimeve në këtë pjesë të globit.
Kështu, sipas mediave braziliane, amerikanët kanë goditur me programin e tyre “PRISM” disa prej sektorëve kyç të ekonomisë, siç ka ndodhur në Venezuelë me industrinë e prodhimit e përpunimit të naftës, ku Uashingtoni ka interesa specifikë.
Ekzistojnë gjithashtu prova se ky program ka goditur edhe autoritetet meksikane, konkretisht policinë dhe shërbimet sekrete të angazhuara në luftën kundër karteleve të drogës.
Top Channel