Kinë, 12 të vdekur nga rrëshqitjet e tokës

11/07/2013 00:00

Bilanci i viktimave të shkaktuara nga rrëshqitja e tokës si pasojë e shirave të dendura në provincën e Siçuanit, në Kinë, është ngjitur në 12.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat shtetërore, sipas të cilave 11 persona rezultojnë ende të humbur. Rrëshqitja e së mërkurës në qytetin

Duxhiangian mbuloi me baltë një zonë prej dy kilometra katrorë. Rrëshqitja erdhi pas ditësh të tëra moti të keq që çoi në përmbytjen dhe dëmtimin e qindra shtëpive në jug-perëndim të Kinës.

Gjithashtu, moti i keq detyroi evakuimin e mbi 36 mijë personave në provincën e Siçuanit dhe atë të Junanit.

Autoritetet deklarojnë se operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim dhe se në to po përdoren edhe instrumente speciale për zbulimin e trupave.

Një ekspert i cituar nga agjencia e lajmeve “Xinhua” ka deklaruar se rreth 1.5 milionë kub baltë, gurë dhe copa të tjera rrëshqitën duke mbuluar zonën.

Më herët gjatë së mërkurës, agjencia shtetërore e lajmeve njoftoi se mbi 60 persona rezultonin të humbur në provincën e Siçuanit si pasojë e motit të keq. Një banor i një fshati tregoi gjithashtu momentet e frikës.

“Mund të shihja se një pjesë e kodrës kishte rrëshqitur. Pati zhurmë për nja tre minuta. Në atë moment mendova se kodra ishte shembur dhe se e gjithë zona poshtë saj ishte varrosur”, tha banori.

 

Top Channel