
GlaxoSmithKline, një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të produkteve farmaceutike është vënë në qendër të një hetimi penal nga autoritetet kineze me akuzën e korrupsionit.
Përfaqësuesit e GSK në Kinë akuzohen për dhënie rryshfeti dhe shkelje të ligjeve tatimore. Ministria e Sigurisë dhe Shëndetit Publik në Pekin thotë se kompania farmaceutike ka dhënë rryshfet për doktorë dhe zyrtarë të tjerë të shëndetësisë në vend për të përfituar favorizime në treg të produkteve të saj.
GSK reagoi duke deklaruar se nuk ka asnjë të dhënë apo provë që të faktojë pretendimet e autoriteteve kineze dhe se mbetet e hapur për të bashkëpunuar në hetim.
“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet në këtë hetim. Ne i marrim shumë seriozisht të gjitha akuzat për korrupsion”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.
Policia kineze ka marrë në pyetje disa prej të dyshuarve. Sipas saj, në cështjen në fjalë përfshihet një numër i madh personash dhe aktiviteti kriminal dhe konkurenca e pandershme, deri edhe shmangia e taksave është i shtrirë ndër vite.
“Shuma e parave që kanë qarkulluar në këtë skemë kriminale është shumë e madhe”, thuhet në deklaratën e autoriteteve kineze, duke shtuar se disa prej të akuzuarve kanë pranuar tashmë të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Nuk dihet numri i saktë i personave që akuzohen nga drejtësia kineze, por ajo që dihet është se vendi i madh aziatik ka ligje të ashpra kundër korrupsionit.
Top Channel