Kërkesat e biznesit për qeverinë e re

11/07/2013 00:00

Në një kohë kur koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit, po
harton një plan të detajuar për 300 ditët e para të qeverisjes,
sipërmarrësit kërkojnë një strategji të qartë të daljes nga kriza dhe
shlyerjes së borxheve që shteti u ka kompanive private për punët publike
të kryera.

“Qeveria Rama të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka Qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.

Sipas tij detyrimi që shteti u ka sipërmarrësve privatë aktualisht kap shifrën 220 milione euro.

‘Rritja është thelluar, gjatë dy muajve shkon nga 8 në 10 për qind; mund të shkojë 220-215 milionë euro një detyrim i cili parashikohet që mund të jetë ndaj sipërmarrjes për vepra publike dhe shërbime, pa futur shifrat e kompensimit tatim-fitim, TVSH-ja apo taksa te tjera që qeveria është e detyruar të likuidojë ndaj biznesit’, theksoi Jaka.

Duke iu referuar një prej debateve më të forta të periudhës parazgjedhore, asaj të sistemit të taksimit, zoti Jaka thotë se sipërmarrja ka marrë premtimin për mosndryshim të taksës së sheshtë.   

‘Shprehim sigurinë që Rama e ka dhënë sinjalin pozitiv për mosndryshim të taksës së sheshtë apo tarifës 10 për qind për sipërmarrjen në tërësi, por kjo dakordësi apo kjo mbështetje vjen edhe nga pakti i dakordësisë që Meta ka nënshkruar me Dhomën e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit dy javë para zgjedhjeve. Ishte një pakt pas një analize të hollësishme të kërkesave tona që u pranuan edhe nga zoti Meta, që nuk do të ketë ndryshime në gjëra fondamentale që i shërbejnë biznesit”, tha Jaka.

Biznesi ka propozuar vendosjen e ‘taksës së rentabilitetit’ për ato kompani që përfitojnë nga asetet publike, dhënien e produkteve apo shërbimeve monopol, në formën e privatizimeve apo lejeve të dhëna nga Qeveria, e që rrisin në mënyrë abuzive çmimet.

Top Channel