Presidenti i rrëzuar egjiptian, Mohammed Morsi, ndodhet në një “vend të sigurt”, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Badr Abdul Atti tha për reporterët, të mërkurën, se nuk e dinte vendndodhjen e 61-vjeçarit islamik, por theksoi se ai po trajtohet në një “mënyrë tepër dinjitoze”.
Mandat-arreste janë lëshuar për liderin e Vllazërisë Muslimane dhe 9 titullarë të tjerë.
Ndërkohë, një i armatosur raportohet të ketë sulmuar makinën e një kryekomandanti të ushtrisë, në gadishullin e trazuar të Sinait, por komandanti ia ka dalë mbanë i palënduar nga sulmi, i cili u krye pranë kufirit me Rripin e Gazës, siç bën të ditur një zyrtar i sigurimit për agjencinë e lajmeve AFP.
Ky është i fundit i një serie sulmesh “me objektiv ushtrinë dhe policinë, gjatë ditëve të fundit, me synimin për të hapur panik dhe për të dëmtuar stabilitetin e sigurinë kombëtare të Egjiptit”, bëri të ditur ushtria.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha gjithashtu se asnjë akuzë nuk është formalizuar ndaj presidentit të rrëzuar. Morsi është ndaluar “për sigurinë e tij personale”, shtoi ai, “ dhe për sigurinë e vendit, pasi kështu është më mirë për të gjithë. Përndryshe, pasojat do të ishin të tmerrshme”.
Ai hodhi poshtë raportimet se Morsi është duke u mbajtur në kazermat e Gardës Presidenciale, në Kajro, siç besojnë pjesa më e madhe të protestuesve pro ish-presidentit.
Top Channel