
Prej gati dy vitesh, rritja e çmimeve në treg ka qenë e dobët. Rënia e
fuqisë blerëse për shkak të krizës e ka mbajtur inflacionin gjatë kësaj
kohe gjithmonë poshtë kufirit tre për qind, të vendosur nga Banka e
Shqipërisë.
Por ndonëse treguesi mesatar i inflacionit duket i kontrolluar, për disa produkte bazë çmimet janë rritur me ritme rekord. Institituti i Statistikave njoftoi se në qershor, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ishin 5.4 për qind më të larta krahasaur me një vit më parë.
Tendenca ka nisur që në janar të këtij viti dhe prej 6 muajsh inflacioni vjetor i ushqimeve është luhatur nga 5 deri në 6 për qind, ndër rritjet më të larta të viteve të fundit, e cila krahasohet vetëm me krizën e ushqimeve në 2008-ën.
Sipas INSTAT, shtrenjtimi i shportës së ushqimeve i dedikohet rritjes së fortë të cmimeve tek frutat, por edhe zarzavatet bazë, të cilat në qershor kushtonin 30.6 për qind më shumë se një vit më parë. Për shkak të kësaj tendence, shifrat e INSTAT tregojnë se aktualisht gati e gjithë rritja e kostos së jetesës, mbi 92 për qind e saj ka ardhur vetëm nga çmimet e ushqimeve.
Në termat e shpenzimeve ushqimet janë zëri më i rëndësishëm i buxhetit të familjeve shqiptare. INSTAT thotë se cdo familje në Shqipëri shpenzon për të blerë ushqime mesatarisht 39.3 për qind të buxhetit të saj. Por sërish kjo shifër është në nivel mesatar. Për familjet e varfëra, pesha e buxhetit që shkon për ushqimet bazë është sipas bankës botërore deri në dy herë më e lartë.
Kjo do të thotë se tek një familje me të ardhura të ulëta, paketa bazë e ushqimeve mund të marrë deri në 80 për qind të të ardhurave dhe shifra rritet sa më e varfër të jetë familja. Pikërisht për shkak se struktura e shpenzimeve familjare ndryshon në varësi të të të ardhurave, në shumë vende të botës, qeveritë publikojnë më shumë se një tregues për inflacionin. Nëse INSTAT do bënte të njëtën gjë, sot inflacioni për familjet e varfëra nuk do të ishte 2.3 për qind, sa shifra zyrtare por mbi 4.3 për qind. Dhe në kushtet e një krize që ka ulur të ardhurat, shtrenjtimi paralel i jetesës është kombinimi më i keq i mundshëm, i cili godet më fort, pikërisht ata që nuk kanë.
Top Channel