Kanada, hetim penal për shpërthimin e trenit

10/07/2013 02:40

Një hetim penal ka nisur në Kanada, në lidhje me daljen nga shinat të një treni-çisternë nafte, i cili la të vdekur të paktën 15 persona në Lac-Megantic të Quebec-ut, ditën e shtunë.

Inspektori i policisë së Quebec-ut, Michel Forget, tha se hetuesit kanë gjetur prova, që i shtyjnë ata drejt një hetimi penal. Treni doli nga shinat, shpërtheu dhe më pas shkatërroi dhjetra ndërtesa në Lac-Megantic.

Hetuesit janë fokusuar në faktin nëse frenat janë prishur (liruar), teksa treni ndodhej i parkuar në një qytet disa milje larg vendngjarjes.

Veç 15 viktimave të zyrtarizuar deri më tani, pothuajse 35 të tjerë kanë mbetur të zhdukur. Autoritetet kanë pyetur të afërmit e të humburve, për të dhënë gjurmë të ADN-ve të tyre, duke ofruar furçat e dhëmbëve, krëhërat e flokëve, brisqe apo sende të tjera.

Por, autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu se shumë prej trupave mund të jenë djegur tërësisht, duke u bërë hi gjatë shpërthimit, dhe nuk do të mund të gjenden kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA