Egjipt, opozita liberale refuzon dekretin

10/07/2013 04:20

Koalicioni kryesor i opozitës liberale në Egjipt ka refuzuar dekretin e liderit të përkohshëm, Adly Mansour, i cili përcakton kalendarin e zgjedhjeve të reja për t’i dhënë fund trazirave.

Fronti Kombëtar i Shpëtimit (NSF) kërkoi më shumë ndryshime dhe konsultime në lidhje me dokumentin në fjalë. Si Vllazëria Muslimane, që mbështet presidentin e rrëzuar islamik, Mohammed Morsi, ashtu dhe lëvizja protestuese Tamarod, refuzuan më herët dekretin.

Plani i Mansour parashikon gjithashtu ndryshime në Kushtetutën e hartuar nga islamikët.

Egjipti është përfshirë nga trazira vdekjeprurëse, që kur presidenti i parë i zgjedhur në rrugë demokratike, Morsi, u rrëzua nga pushteti nga një “grusht shteti” i ushtrisë javën e kaluar, teksa protestues pro dhe kundër tij kanë zbritur masivisht nëpër rrugë.

Të hënën, të paktën 51 persona – pjesa më e madhe e të cilëve mbështetës pro-Morsit nga lëvizja e tij Vllazëria Muslimane – u vranë jashtë kazermave, ku mendohet se mbahet i arrestuar Morsi.

“Fronti Kombëtar i Shpëtimit njofton refuzimin e dekretit kushtetues”, thuhej në deklaratën e opozitës liberale. Më tej, NSF tha se nuk ishte konsultuar në lidhje me dokumentin, mëse jetësor për tranzicionin politik të Egjiptit, duke kërkuar ndryshime të tjera të këtij propozimi.

Koalicioni, i cili udhëhiqej nga Mohamed El Baradei, deri kur ky i fundit u emërua zëvendës president i Egjiptit, nuk ka komentuar më tej.

Vllazëria Muslimane, e cila ka ushtruar presion për rikthimin e menjëhershëm të Morsit, e refuzoi më herët dekretin, duke e cilësuar atë si “një dekret kushtetues të një njeriu të emëruar nga puçistët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA