Kina raportoi një rënie të papritur të eksporteve dhe importeve të saj, duke rritur shqetësimet për ngadalësim të rritjes ekonomike të saj.
Të dhënat e publikuara nga ekonomia e dytë më e madhe në botë për muajin qershor, treguan një rënie me 3.1 përqind të eksporteve. Analistët dhe ekspertë të ekonomisë thanë se tregu global po tregon se nuk është më aq i interesuar për mallrat kinezë.
Ndërkohë, importet ranë me 0.7 përqind, një tregues se i rënies së konsumit vendas. Rritja ekonomike nga janari në mars ishte 7.7 përqind, 0.2 përqind më pak se 7.9 përqind i një viti më parë.
Të dhënat interpretohen si fillimi i ngadalësimit të rritjes ekonomike kineze. Vendi i madh aziatik është përpjekur të ribalancojë ekonominë e vet, të goditur nga kriza globale që preku fort eksportet.
Së fundmi edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar parashikimet e tyre për ecurinë e ekonomisë kineze.
Top Channel