Piloti kryesor në kabinën e fluturimit 214 të “Asiana Airlines” kishte arritur të kuptonte se aeroplani po fluturonte shumë ulët, kur gjendej rreth 152 metra mbi tokë, bën të ditur një zyrtar.
“Boeing 777” u përplas gjatë uljes në aeroportin e San Francisco-s, të shtunën, duke lënë 2 pasagjerë të vdekur dhe 180 të plagosur. Piloti, në kabinën e kontrollit të avionit korean, ishte pothuajse në gjysmë të rrugës së trajnimit të tij me një “Boeing 777”, sipas këtij burimi.
Hetuesit kanë dëshmuar se aeroplani ishte duke fluturuar shumë ngadalë, kur u përplas me një mur-ndarës nga deti, përpara se të përplasej në pistë.
Në një deklaratë të shkurtër, të martën, drejtuesja e Bordit të Sigurisë së Transportit Kombëtar (NTSB), Deborah Hersman, paralajmëroi të mos spekulohej në lidhje me shkakun e përplasjes.
Hersman zbuloi gjithashtu se dy shoqëruesit e fluturimit, të cilët ishin ulur në pjesën e pasme të aeroplanit, ishin hedhur jashtë, kur aeroplani ishte përplasur, e rrjedhimisht përfundoi në pistë. Ata i mbijetuan aksidentit, por mbetën të plagosur rëndë.
Dy pasagjerët, që ndërruan jetë, janë identifikuar dhe janë adoleshentët kinezë Ye Mengyuan dhe Wang Linjia. Policia po heton faktin nëse, njëri prej tyre i mbijetoi përplasjes, por mund të jetë shtypur nga një automjet i urgjencës, që i drejtohej vendngjarjes.
Top Channel