Afrikë J., shenja përmirësimi nga Mandela

10/07/2013 21:05

Nelson Mandela po i përgjigjet mirë mjekimeve, ndonëse mbetet në gjendje të rëndë shëndetësore, deklaroi Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma.

Zyra e kreut të shtetit ofron një buletin të përgjithshëm me të gjitha zhvillimet shëndetësore të nobelistit, ndërsa të mërkurën ishte vetë Zuma që vizitoi 94-vjeçarin në spital.

Në vizitën e tij, presidenti kërkoi nga stafi i spitalit ku po kurohet në Pretoria që të bëjnë të pamundurën për të mbështetur deri në fund “heroin e kombit”.

Lajmi se Mandela është duke iu përgjigjur trajtimit përbën një zhvillim të ri pozitiv, pasi prej disa ditësh, ish-presidenti mbetej në gjendje kritike, por stabël.

Presidenti i parë me ngjyrë në vendin e tij, Mandela mbetet i shtruar në spital që prej datës 8 qershor.

Ndërkohë, turma njerëzish grymbullohen në mënyrë të përditshme përpara spitalit, për të shprehur mbështetjen e tyre për Mandelën.

I burgosur për 27 vjet për luftën e tij kundër autoriteteve të drejtuar nga pakica e bardhë, Mandela u lirua nga burgu në vitin 1990, duke u shndërrua në një legjendë të gjallë për të gjithë njerëzit me ngjyrë dhe luftën e tyre për barazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA