Rusia ka prova se një raketë që goditi një fshat në veri të Sirisë, e qëlluar nga ana e kryengritësve, ishte e mbushur me lëndë kimike, konkretisht me gazin neuroparalizues vdekjeprurës sarin.
Ambasadori i përhershëm rus në OKB, mbrëmjen e së martës tha se Moska ka ndërmend të ngrejë në mënyrë urgjente këtë çështje në Këshillin e Sigurimit, ndërsa theksoi se provat janë mbledhur në kuadrin e një hetimi të pavarur të kërkuar nga qeveria e Damaskut.
Në luftën civile që zgjat që prej marsit 2011, secila prej palëve ndërluftuese akuzon kundërshtarët për përdorimin e armëve kimike.
Më parë, OKB ka kërcënuar se përdorimi i këtyre armëve do të përbënte një linjë të kuqe, përtej të cilës nuk do të tolerohej më dhe do të ishte e detyruar të ndërhynte ushtarakisht në konflikt.
Incidenti për të cilin Rusia pretendon se ka prova të forta ndodhi në Khan al-Assal, në dalje të Alepos, datën 19 mars dhe la të paktën 27 persona të vdekur e dhjetëra të tjerë të plagosur.
Top Channel