
Autoritetet kineze dhe ato amerikane kanë zhvilluar bisedime në lidhje me shqetësimet për piraterinë informatike, në takimin e parë të grupit të përbashkët të punës për sigurinë elektronike.
Takimi i zhvilluar të hënën ishte preludi i një forumi 1-vjecar mes dy vendeve që kanë ekonomitë më të mëdha në botë.
Dy palët ngritën një grup të përbashkët pune në muajin prill, për të përshpejtuar aktivitetet në parandalimin e sulmeve informatike.
Grupi udhëhiqej nga koordinatori i SHBA për cështjet informatike, Christopher Painter dhe zyrtari i Ministrisë së Jashtme kineze, Dai Bing.
“Shtetet e Bashkuara shpresonin se bisedimet e së hënës do t’u mundësonin të dy palëve të ndanin së bashku perspektivat mbi ligjet ndërkombëtare dhe normat në hapësirën elektronike”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.
Më herët gjatë vitit Shtetet e Bashkuara akuzuan Kinën për spiunazh elektronik, akuza të cilat Kina i mohoi. Bisedimet dypalëshe u shoqëruan gjithashtu me zërat se SHBA kanë sulmuar rrjetet kineze. Zërat në fjalë erdhën nga ish-tekniku i CIA-s, Edward Snowden.
Ish-kontraktori i qeverisë amerikane tha për një gazetë në Hong Kong muajin e kaluar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte kryer mbi 61 mijë përgjime ilegale në mbarë botën, shumica e të cilave në Hong Kong dhe Kinë.
Top Channel