
Drejtori i teatrit të baletit rus, Bolshoi, është shkarkuar nga detyra
pas zbulimit të një seri skandalesh, përfshirë sulmin me acid ndaj
drejtorit artistik të kompanisë.
Anatoly Iksanov do të zëvendësohet nga Vladimir Urin, ka njoftuar qeveria ruse, e cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. Sipas mediave ruse, Iksanov u përfshi në një luftë verbale me balerinin Nikolai Tsiskaridze.
Ndërsa sulmi me acid ndaj Sergei Filin zbuloi rivalitetet e brendshme në një prej kompanive më të mira në botë të baletit.
Filin ka mbetur thuajse i verbër pas dështimit të 18 operacioneve për të shpëtuar shikimin e tij. 42-vjeçari pësoi djegie në sy dhe fytyrë kur një person i maskuar i hodhi acid sulfurik duke e dëmtuar rëndë në fillim të këtij viti.
Filin udhëtoi nga Moska për në Gjermani për t’u trajtuar, por pavarësisht raportimeve fillestare që ishin optimiste, ai tani ka humbur 95 për qind të shikimit dhe është totalisht i verbër në syrin e tij të djathtë.
“Acidi vijon të shkaktojë probleme. Deri më tani Filin ka kryer 18 operacione dhe disa prej tyre kanë qenë shumë të vështirë”, tha muajin e kaluar një zëdhënës i teatrit.
Ndërkohë, Pavel Dmitrichenko, 29-vjeçari i njohur ndryshe si “Ivani i tmerrshëm”, u akuzua se kishte paguar 1.800 paund një person për të kryer sulmin ndaj Filin, pasi e dashura e tij nuk ishte lejuar të luante një rol në balet.
Top Channel