Shira të dendura kanë përfshirë qytetin e Torontos, në Kanada, duke lënë rreth 300 mijë persona pa energji elektrike dhe duke mbuluar me ujë pjesë të shumta të qytetit.
Mbi 90 milimetra shi, më shumë se mesatarja mujore, ra në qytetin më të madh të Kanadasë vonë gjatë së hënës, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Shirat kanë përmbytur disa nga rrugët kryesore dhe stacionet e metrove, duke shkaktuar kaos në trafik.
Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar për orë të tëra në një stacion treni të përmbytur dhe u evakuan nga policia me varka. Për fat të mirë nuk ka pasur raportime për të lënduar.
Nivelet e ujit në momentet e pikut në stacionin e trenit Richmond Hill u rritën aq shumë sa që pasagjerët hipën mbi tryeza dhe ulëse. “Është një lum i vërtetë. Ne jemi të bllokuar”, shkroi në Twitter pasagjeri Jonah Cait.
Edhe disa linja ajrore anuluan të gjitha fluturimet e së hënës në ardhje dhe në ikje nga Toronto për shkak të motit të dhunshëm.
Kryetari i bashkisë, Rob Ford deklaroi për radion lokale CBC se, “kemi dalë të gjithë mbi kuvertë” për të përballuar stuhinë dhe për të riparuar dëmet që i ka shkaktuar qytetit.
Kryebashkiaku u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, duke paralajmëruar për shira të tjera të dendura në orët e ardhshme.
Top Channel