Itali, goditet aksi i drogës

09/07/2013 00:00

Policia italiane ka arrestuar të martën 50 persona, anëtarë të katër organizatave kriminale aktive në trafikun e drogës nga Amerika e Jugut dhe Shqipëria në Itali.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, të cilat nuk saktësojnë kombësinë e të arrestuarve, të cilët nga informacionet paraprake rezultojnë të jenë vendas.

Sipas burimeve, bandat kriminale importonin kokainë nga Paraguaji, e cila arrinte deri në Itali përmes Spanjës dhe shpërndahej në Lacio dhe rajone të tjera.

Arrestimet janë kryer përmes bashkëpunimit të policisë italiane me homologët nga Shqipëria, Kolumbia, Spanja dhe Portugalia, pasi shumë prej anëtarëve të tyre ndodheshin jashtë Italisë.

Autoritetet e vendit fqinj kanë saktësuar se katër bandat, të cilat vepronin në Romë, Tivoli, Netuno dhe Ancio, bashkëpunonin ngushtë me mafiet lokale, por edhe me grupe kriminale shqiptare dhe kartele amerikano-jugore.

Përmes përgjimeve telefonike, policia italiane ka arritur të zbardhë edhe disa vrasje me pagesë të kryera për llogari të bandave, mes të cilave figuron ajo e shtetasit shqiptar Mikel Blushaj, në lokalitetin Kave në shurt të vitit 2012, si dhe e një trafikanteje argjentinase, e vrarë në Bolivi.

Njëra prej bandave kishte lidhje edhe me trafikantin Roberto Pannunzi, i konsideruar si “Escobari italian”, që u arrestua fundjavën e kaluar në Kolumbi.

Grupi i katërt, që vepronte në Ancio, e sillte drogën nga Amerika Latine për në Tenerife të Spanjës, ku më pas lënda narkotike ngarkohej në varka me vela dhe në automjete për të mbërritur në Itali.

Top Channel