Brazil, 10 mijë doktorë në zonat e varfëra

09/07/2013 00:00

Qeveria e Brazilit ka zbuluar një plan për të punësuar 10 mijë doktorë
për t’i dërguar në zonat e varfëra, në kuadër të reformave në sistemin e
shëndetësisë.

Lëvizja përfshin punësimin e doktorëve të huaj, për herë të parë duke filluar nga shtatori, si dhe ndryshimet në kurrikulumin e universitetit të mjekësisë. Kështu, studentët e diplomuar nga viti 2015 e sipër duhet të punojnë për dy vjet në sektorin publik.

Ndryshimet vijnë rreth një muaj pasi miliona brazilianë mbushën rrugët dhe mbajtën protesta masive ndaj shërbimeve të varfëra publike, korrupsionit dhe cështje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se skema “më shumë doktorë” ishte modeluar sipas modelit të shërbimeve shëndetësore në vende si Britania dhe Suedia.

Doktorët e huaj do të punësohen nëse vendet e punës nuk do të plotësohen nga doktorët vendas, kanë sqaruar autoritetet. Vendet e punës do të publikohen në fund të muajit.

“Programi ynë për Më Shumë Doktorë nuk ka si qëllim parësor marrjen e doktorëve të huaj, por zhvillimin e shërbimeve shëndetësore të brendshme”, deklaroi presidentja Dilma Rousseff.

Zonja Rousseff deklaroi se planet jo vetëm që synojnë t’i japin zgjidhje problemeve afatgjata, por edhe atyre problemeve aktuale të brazilianëve që nuk kanë akses në sektorin shëndetësor.

Doktorët që do të punësohen në kuadër të skemës së re do të paguhen me një rrogë prej 10 mijë reai, ose rreth 4.500 dollarë në muaj.

Top Channel