Raporti i SOROS: Anonim përzgjedhësit e librave të fëmijëve

08/07/2013 00:00

Një raport i fundit i fondacionit të “Shoqërisë së Hapur”, ka publikuar
të dhënat e fundit nga anketimi mes nxënësve, mësuesve, prindërve dhe
drejtuesve të shkollave lidhur me procesin e alertekstit.

Sipas studimit rezulton se komisionet të cilat bëjnë përzgjedhjen e teksteve që do të punojnë më pas nxënësit në shkolla nuk bëhet publik, anëtarët janë anonimë dhe mbetet enigmë gjetja e anëtarëve të Komisionit të Votimit të Teksteve.

Sipas raportit, pjesa dërrmuese e mësuesve deklarojnë se nuk janë përfshirë në këtë proces, nuk u ka marrë njeri mendim dhe se në tekste shpesh gjenden gabime për të cilat bëhen me faj ata që s’kanë asnjë faj dhe përgjegjësi për tekstin e votuar. Po ashtu sipas raportit në procesin e altertekstit mungon transparenca, dhe nga viti në vit thuajse nuk ka asnjë përmirësim.

“Edhe këtë vit, 2012 anëtarët e KVT-ve kanë qenë anonimë për publikun, duke ushqyer kështu dyshimet e grupeve të interesit (mësuesve dhe prindërve) nëse këta anëtarë e kanë apo jo kualifikimin e nevojshëm. Ndërkohë duhet të mbahet parasysh se me hyrjen në “Për arsimin parauniversitar”, mospublikimi i emrave të anëtarëve të KVT-së është në kundërshtim me ligjin.

Shqetësues është edhe fakti që veprimtaria e KVT-ve nuk është pjesë e kuadrit monitorues të IKAP-it, duke e bërë edhe më të pamundur monitorimin e veprimtarisë së këtyre komisioneve”, thuhet në raport. IKAP është Inspektorati i Kontrollit të Arsimit Parauniversitar.

Nga anketimi që ka kryer Fondacioni i Shoqërisë së hapur, një pjesë e madhe e mësuesve pjesëmarrës në fokus-grupe akuzojnë KVT-të dhe KMT-në se të parët përzgjedhin dhe i dyti miraton tekste të një cilësie tepër të ulët dhe (shpesh) me gabime shkencore. Funksionimi i KPT-ve. “Gjatë fokus-grupeve shpeshherë mësuesit shprehen se ata detyrohen të mos zgjedhin tekstet më të mira për shkak të ndikimit si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda sistemit, për të favorizuar tekste të caktuara. Dyshime janë ngritur (nga grupet e interesit, por edhe nga raportet e IKAP-it) në lidhje me informimin paraprak të mësuesve për alternativat që do të votohen. Vetë mësuesit gjatë fokus-grupeve shprehen se shpesh kampionet e teksteve mbërrijnë shumë vonë dhe në sasi tepër të vogël (një tekst për shkollë), çka e bën të vështirë shqyrtimin/ vlerësimin e të gjitha alternativave brenda kohës së përcaktuar, gjë që nuk i lejon mësuesit të krijojnë një mendim të pjekur lidhur me pikat e forta dhe të dobëta të secilit tekst alternativ”, thuhet në studim. Megjithëse një detyrim ligjor, duket se pjesëmarrja e prindërve në mbledhjet e KPT-ve

edhe këtë vit nuk është realizuar në masë të gjerë. Rreth 96% e prindërve të anketuar deklarojnë se nuk kanë qenë pjesë e KPT-ve), duke i lënë kështu ata jashtë procesit të përzgjedhjes së teksteve.

Mësuesit pjesëmarrës në fokus-grupe kanë sjellë shumë

raste ku, pasi janë formuar grupe prej 7 mësuesish, mësuesit e tjerë të asaj lënde janë lënë jashtë komisionit, dhe për pasojë jashtë procesit vendimmarrës. Ndërkohë, gjatë intervistave

me drejtuesit arsimorë të pyetur mbi këtë fakt, ata, megjithëse nuk kanë shpjeguar arsyet që kanë çuar në një situatë të tillë, janë përpjekur të sigurojnë se këta mësues, pavarësisht se

nuk marrin pjesë në KPT, arrijnë gjithsesi ta shfaqin mendimin e tyre në mbledhjet e tjera që zhvillohen brenda shkollës.

Është evidentuar gjatë këtij studimi se edhe këtë vit, përveç faktit që në shkolla nuk dërgohet një sasi e mjaftueshme tekstesh

për secilën prej alternativave (në disa raste sigurohet vetëm një tekst për shkollë), edhe koha që u lihet në dispozicion mësuesve për ta shqyrtuar këtë tekst është shumë e shkurtër.

“Një gjë e tillë vë në pikëpyetje faktin nëse të gjithë mësuesit i lexojnë vërtet të gjitha alternativat e paraqitura përpara se të votojnë se cila prej tyre është më cilësorja. Kjo çështje bëhet veçanërisht pengesë për tekstet që konkurrojnë për herë të parë, pasi, nëse KPT-të nuk do t’i shqyrtojnë këto alternativa, atëherë konkurrimi i drejtë i tyre do të ishte thuajse i pamundur. Përveç rasteve të deklaruara në pjesën dërrmuese të fokus-grupeve me mësues, raste konkrete të ndërhyrjes së drejtuesve arsimorë në procesin e përzgjedhjes ka zbuluar edhe IKAP-i”, sqarohet në raport.

Në vitin 2012, Inspektorati ka verifikuar raste konkrete ku drejtuesit arsimorë të DAR/ZA-ve u kanë dhënë mësuesve udhëzime për të përzgjedhur tekste të caktuara. Po të mbajmë parasysh rolin e rëndësishëm që ka drejtuesi i DAR/ZA-së në karrierën e drejtorëve të shkollave dhe të mësuesve, atëherë mund të deduktojmë se ka pak gjasë që mësuesit të zgjedhin një tekst tjetër, veç atij për të cilin janë udhëzuar. Një rrethanë e tillë rëndohet akoma më shumë nga realizimi i votimit të hapur (jo të fshehtë) brenda mbledhjeve të KPT-ve, gjë e cila është konfirmuar nga pjesa dërrmuese e mësuesve pjesëmarrës në fokus-grupe.

Por mbi të gjitha mbetet për t’u hulumtuar roli që luan MASH-i në lidhje me mirëfunksionimin e Altertekstit. Është evidentuar se MASH-i është në dijeni të rasteve ku drejtues arsimorë kanë

dhënë udhëzime për përzgjedhjen e teksteve të caktuara, përmes raporteve që ka depozituar IKAP-i, megjithatë mbetet për t’u vërtetuar nëse MASH-i ka marrë apo jo masa ndëshkuese ndaj këtyre drejtuesve.

Top Channel