Lajmet e emigrantëve të mbytur në det, në ato barka që në vend që të jenë rrugë drejt shpresës bëhen rrugë drejt vdekjes kanë shtyrë Papa Françeskun të vizitojë sot ishullin siçilian të Lampeduzës.
Ky ishull i vogël, vitet e fundit është bërë pikëmbërritja e dhjetëra mijëra refugjatëve te ikur nga luftëra e konflikte.
E në kujtim të atyre që nuk kanë arritur gjallë, përpara se të vinte këmbën në tokë, Ati i Shënjtë hodhi në det një kurorë lulesh.
Papa Françesku tha se për të, humbja e këtyre jetëve është një gjemb në zemër dhe se dëshiroi të bënte këtë vizitë për të zgjuar ndërgjegjet në mënyrë që tragjeditë të mos përsëriten më.
Papa mbajti një meshë nga një altar të krijuar me një barkë e vogël, pak hapa larg varrezës së barkave të ardhura në ishull.
Mesha i ngjau më shumë një riti funebër në kujtim të emigrantëve që kanë humbur jetën në udhëtim, në fakt edhe vetë Papa Bergoglio qe i veshur me vjollcë, që në liturgjinë katolike është ngjyra edhe pendesës e zisë.
Dhjetë mijë persona, shumë prej të cilëve emigrantë, ndoqën predikimin, një akt i vërtetë akuze kundër “globalizimit të indiferencës”.
Ati i Shenjtë i Vatikanit ngriti zërin kundër kulturës së mirëqënies që na bën të jetojmë në një flluskë sapuni, të pandjeshëm ndaj të tjerëve dhe kërkoi falje.
Shënjtëria e Tij përshëndeti edhe muslimanët e shumtë që ndodhen në ishull si refugjatë dhe u uroi atyre fillimin e Ramazanit.
Edhe këtë herë, Françesku shkëlqeu për thjeshtësinë që e karakterizon. Lëvizi më një makinë të vogël të vënë në dispozicion nga një banor dhe përdori mjetet lundruese të rojeve bregdetare.
Vizita e sotme, e para e një Pape në këtë ishull, ka një vlerë të fortë simbolike dhe dëshmon vëmendjen e tij të veçantë për periferitë e botës.
Top Channel