
Nikaragua është gati t’i ofrojë azil Edwuard Snowden, ish-tekniku i CIA-s që u kthye në spiunin e së ashtuquajturës “Datagate” me zbulimet e tij mbi programin e spiunazhit amerikan të quajtur “Prizmi”.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i vendit, Daniel Ortega, që gjithësesi ka saktësuar se azili, për të cilin vendi amerikano-qendror ka marrë kërkesë nga tekniku, do të jepet nëse e lejojnë kushtet.
Pak minuta më pas, një njoftim analog ka ardhur edhe nga presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, që ka ofruar “një ndihmë humanitare për të riun, për ta mbrojtur nga persekutimi i perandorisë më të fuqishme në botë që është turrur kundër tij”.
“Ne jemi të hapur dhe respektojmë të drejtën e azilit. Është e qartë se nëse rrethanat do ta lejojnë, ne do ta mirëpresim Snowden me shumë kënaqësi dhe do t’i ofrojmë azil këtu në Nikaragua”, ka deklaruar Ortega.
Ortega, prej dekadash është në listën e armiqve të Shteteve të Bashkuara, e ka bërë njoftimin e tij në Managua, përpara mijëra simpatizantëve të qeverisë së tij.
Snowden është i bllokuar prej dy javësh në zonën tranzit të aeroportit Sheremetevo të Moskës dhe deri tani i është refuzuar disa herë kërkesa për azil në vende të ndryshme.
Snowden, azil edhe në 6 vende të tjera
Spiuni i arratisur amerikan, aplikime të tjera për azil politik, sipas Wikileaks
Ish-kontraktori i CIA-s, Edward Snowden, tashmë i arratisur dhe i
kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për esktradim, ku akuzohet për spiunazh,
ka aplikuar për azil politik në 6 vende të tjera, bën të ditur
Wikileaks.
Uebsajti informues bën të ditur se nuk do të përmendë emra shtetesh “për shkak ndërhyrjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara”. Snowden kishte kërkuar deri më tani azil në 21 vende, pjesa më e madhe e të cilave kanë refuzuar kërkesën e tij.
Bolivia, e cila është ende në shqyrtim të ofertës së azilit ndaj tij, u përball me një problematikë të panevojshme me aeroplanin e presidentit të saj, të cilit iu mbyll hapësira europiane, gjatë kthimit të presidentit nga një vizitë në Moskë.
Kjo, për arsye se kishte pasur spekulime, se 30-vjeçari ndodhej në aeroplanin, që transportonte presidentin Evo Morales, nga Rusia për në La Paz, në fillim të kësaj jave.
“Edward Snowden ka aplikuar për azil në 6 vende të tjera”, njoftoi përmes Twitter-it Wikileaks, i cili po përpiqet të ndihmojë ish-analistin e CIA-s. “Emrat e shteteve nuk do të përmenden në këtë moment, për shkak të ndërhyrjes së mundshme të SHBA-ve”.
Shtetet e Bashkuara janë fajësuar se fshiheshin pas vendimit të marrë nga Franca, Portugalia, Italia dhe Spanja, për të mbyllur hapësirat e tyre ajrore ndaj presidentit bolivian, aeroplani i të cilit u ul në Austri për 13 orë, ku edhe iu nënshtrua kontrollit të rreptë.
Top Channel