LIVE/ Dita e dytë e sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, Teherani konfirmon vrasjen e Khamenei dhe kryen sulme hakmarrëse drejt Emirateve. BE thërret mbledhje urgjente
Mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të zhvillohen takime të nivelit të lartë për të sqaruar çështjen “Datagate”, por megjithatë, duket se kjo nuk do të ndikojë në raportet tregtare.
Presidenti amerikan Barack Obama dhe kancelarja Angela Merkel zhvilluan mbrëmjen e së mërkurës një bisedë telefonike, ku riafirmuan angazhimin e tyre për nisjen e negociatave për një marrëveshje për shkëmbimin e lirë mes SHBA dhe BE.
Ndërkohë, Uashingtoni zyrtar po përpiqet të zbusë tensionet edhe me Italinë, me ambasadorin amerikan në Romë që ka shkëmbyer bisedime të ngrohta me ministren e Jashtme, Bonino.
Dy ditë më parë presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso i kërkoi shpjegime Shteteve të Bashkuara për programet e përgjimit, të denoncuara nga ish-kontraktori i CIA-s, Edward Snowden.
“Nëse këto lajme rezultojnë të verteta, kjo ngre shqetësime serioze dhe shumë të rëndësishme. Është pikërisht kjo arsyeja pse menjëherë pas publikimit të raporteve i kërkuam sqarime SHBA-së”, deklaroi Barroso.
“Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton, e cila ka kompetencën në këto çështje dhe stafi i saj i kanë paraqitur një ankesë SHBA-së”, theksoi ai, duke shtuar se ambasadori amerikan në BE ishte thirrur për sqarime.
Revista gjermane “Der Spiegel” botoi një artikull ku thuhej se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) kishte përgjuar zyrat e Bashkimit Europian dhe kishte mundur të hynte në rrjetin e kompjuterave të brendshëm.
Shkrimi ndezi indinjatën e zyrtarëve europianë. Të hënën, presidenti i KE urdhëroi një kontroll të imtësishëm të ndërtesave të Bashkimit Evropian.
Top Channel