Morales, Franca i kërkon falje Bolivisë

04/07/2013 00:00

Franca i ka kërkuar falje Bolivisë për ndalimin që i bëri avionit të presidentit Evo Morales për të udhëtuar në hapësirën ajrore të saj, duke fajësuar për këtë “informacionet e gabuara”.

Bolivia akuzoi Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë se bllokuan avionin, por Parisi zyrtar ka deklaruar se kjo ndodhi për shkak të informacioneve të gabuara se në bord ndodhej i kërkuari Edward Snowden.

Duke folur nga Berlini, presidenti francez Francois Hollande deklaroi se ai dha leje për fluturim menjëherë sapo mësoi se bëhej fjalë për avionin e zotit Morales.

Ky i fundit po fluturonte për në Bolivi nga Moska kur avioni u detyrua të ndalonte në Vjenë. Ministria e Jashtme franceze lëshoi një deklaratë për shtyp në lidhje me incidentin.

Zëdhënësi Philippe Lalliot deklaroi: “Ministri i Jashtëm i telefonoi homologut bolivian për t’i thënë se Francës i vjen keq për incidentin e shkaktuar”.


Episodi
shkaktoi irritimin dhe reagimin e shumë liderëve të vendeve të Amerikës Latine, të cilët shprehën mbështetjen e tyre ndaj zotit Morales dhe kritikuan Perëndimin.

Protestuesit u mblodhën përpara ambasadës franceze në La Plaz, duke djegur flamurin francez dhe duke kërkuar dëbimin e ambasadorit nga Bolivia.

Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa deklaroi se grupi UNASUR, i përbërë nga vendet e Amerikës Latine, ka thirrur një takim urgjent mbi këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB