Integrimi ekonomik i Shqipërisë

04/07/2013 00:00

Ekspertët thonë se kriza ka frenuar integrimin ekonomik të Shqipërisë në
Bashkimin Europian, duke ngadalësuar rritjen e të ardhurave.

“Duhet patjetër që ritmet tona të jenë jo më pak se 5 për qind në vit, për të qenë të gatshëm, në raport me GDP-në për frymë me komunitetin europian, më vonë se viti 2020”, thotë Omer Stringa, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë.

Në periedhën 2005-2009, të ardhurat për frymë u rritën nga 22 për qind e mesatares së BE-së, në 28 për qind. Por sapo ekonomia u godit nga kriza, ritmet e rritjes së mirëqënies kanë qenë tre herë më të ulëta. Madje vitin e kaluar ato ranë në zero.

“Tani detyra bëhet më e vështirë sepse faktorët, të cilët do të shtyjnë përpara konvergjencën janë më të ndryshëm nga ato që ishin në dekadën e kaluar”, thotë Erjon Luçi, kryeekonomist i Bankës Botërore në Tiranë.

Erjon Luçi thotë se dy dekadat e kaluara ngushtimi i hendekut të mirëqënies me vendet e Bashkimit Europian është nxitur nga tregtia e lirë dhe integrimi financiar. Por tani ai beson se duhen të tjera ndërhyrje më të vështira, në të kundërt Shqipëria rrezikon që jo vetëm t’i mos afrohet standardeve të jetesës në BE, por të mbetet pas.

“Tani reformat janë të lidhura kryesisht me përmirësimin e fuqisë punëtore, sidomos të aftësive të fuqisë punëtore, në aspektin e tregut të punës dhe në aspektin e mirëqeverisjes, ose në kompletimin e reformave strukturore, për të përmirësuar klimën e biznesit, për të rritur mundësitë e prurjes së financimeve të huaja në vend. Por që këto financime të huaja të materializohen në mirëqënie më të lartë, duhet që tregu i punës t’i përgjigjet me rritjen e aftësive të punëtorëve”, thotë Luçi.

Aktualisht Shqipëria është vendi i parafundit në Europë për nga niveli i mirëqënies. Të ardhurat për frymë në shqipëri, sipas eurostat janë sa 30 për qind e mesatares së BE–së duke lënë pas vetëm bosnjen me 28 për qind.
   
   

Top Channel