
Kryeministri hungarez Orban i mbrojti para Parlamentit Evropian në Strasburg ndryshimet kushtetuese të diskutueshme në vendin e tij. Kritikat e eurodeputetëve ai i refuzoi si paragjykuese dhe të motivuara politikisht.
Shefi i ekzekutivit hungarez vazhdon t’i bëjë rezistencë bllokut të pakënaqur me shumë aspekte të qeverisjes së tij. Gjatë seancës plenare ai e cilësoi “thellësisht të padenjë dhe fyes” raportin e Komisionit Juridik të Parlamentit Evropian për Hungarinë, të miratuar pak kohë më parë. Edhe një herë, Orban deklaroi se vendi i tij lufton kundër të gjithë atyre që ia kufizojnë lirinë dhe duan ta kthejnë vendin e tij në një “koloni”.
Kryeministri hungarez pati tërhequr vëmendjen që para debatit për shumicën prej dy të tretash, me të cilën partia e tij Fidesz qeveris Hungarinë. Orbani ka rënë në sy së fundi jo për mirë me një krahasim që i bëri kancelares gjermane, Angela Merkel, me Adolf Hitlerin. Sa për mënyrën se si do të votohet raporti në parlament, ai duket se nuk ka iluzione.
“Të majtët, liberalët dhe të Gjelbrit do të votojnë kundër Hungarisë”, shprehet i bindur Orban.
Në dokumentin e hartuar nga eurodeputeti i Gjelbër portugez Rui Tavares, Parlamenti Evropian mbështetet në kritikën e Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë juristë kushtetues me emër. Në raport kërkohet veç kësaj ngritja e një komisioni të përhershëm, i cili duhet të mbikqyrë respektimin e të ashtuquajturave kritere të Kopenhagës të BE-së për demokraci dhe shtet juridik.
Për shtetet që i shkelin në mënyrë të vazhdueshme rregullat mund të vendoset heqja e së drejtës së votës në Këshillin e Ministrave të BE-së.
Top Channel