Greqi, operacioni për kapjen e të arratisurve

03/07/2013 00:00

Vazhdon prej të martës në mbrëmje operacioni gjigand i policisë greke e cila ka rënë në gjurmë në 24 orët e fundit të disa prej të arratisurve shqiptare nga burgu i Trikallës.

Pas një beteje të vërtetë në zonën Koniska të prefekturës së Etoloakarnanias, mediat greke raportojnë se dy prej të arratisurve janë vrarë nga plumbat e forcave speciale greke. Sipas deklaratës për shtyp që ka publikuar policia greke, njëri prej tyre është shtetasi Edison Lika, 26 vjeç, kurse i dyti Kujtim Lika, 39 vjeç, i afërm i tij, i arratisur nga burgu i Larisës në vitin 2006.

Viktimave u janë gjetur dy automatikë kallashnikovë me gjashtë karikatorë, dy pistoleta dhe një granatë. Arratisja e bujshme nga burgu i Trikallës u krye në 23 mars, kur një grup i armatosur nga jashtë burgut, në bashkëpunim me 11 të burgosurit shqiptarë, kanë sulmuar me armë zjarri rojet duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre. Tre prej të arratisurve shqiptare janë kapur disa orë pas arratisjes. Disa herë policia greke ka rënë në gjurmët e tyre dhe në dy raste ka pasur shkëmbime zjarri midis forcave policore dhe të arratisurve, ku një polic në Distomo dhe një kalimtare në Isthmia kanë humbur jetën.

Ermal Lita është arrestuar pas një vjedhjeje në një supermarket në Peristeri të Athinës. Dy të tjerë që kanë vjedhur një prej degëve të NGB në Larisa thuhet se janë larguar jashtë Greqisë. Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për tre ose katër të arratisurit e tjerë, midis të cilëve ndodhet edhe i shumëkërkuari i policisë, Marian Kola. Në operacion marrin pjesë repartet e ndërhyrjes së shpejtë, forcat speciale të antiterrorit si dhe komando të ushtrisë greke të pajisur me armatim modern, pasi bëhet e ditur se të arratisurit janë të armatosur dhe të vendosur të mos dorëzohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB