Bllok lajmesh nga bota

03/07/2013 00:00

Sulmoni Lojrat Olimpike të dimrit në Rusi! Lideri guerrilas islamik i Kaukazit, Doku Umarov i bëri thirrje përmes një videoje të publikuar në internet të gjithë ndjekësve të tij të përdorin forcë maksimale për të penguar eventin sportiv të cilin presidenti rus Vladimir Putin e pret me padurim.

Umarov, i vetëquajtur “emir i Kaukazit”, synon të nisë një luftë të shenjtë në vend me afrimin e lojrave dimerore të 2014-s.

Këto të fundit parashikohet të mbahen shkurtin e vitit të ardhshëm, në pikën turistike të Sochit, shumë pranë rajonit të trazuar të Kaukazit verior. Putin ka premtuar siguri maksimale gjatë eventit, për mbarëvajtjen e të cilit vë në lojë reputacionin e vet.

Pacientët shërohen nga virusi HIV

Dy pacientë i kanë hequr nga përdorimi mjekimet kundër HIV-it pasi një transplant i palcës kurrizore e ka zhdukur virusin nga trupat e tyre. Prezantimi i rastit të konsideruar një sukses për mjekët u bë gjatë konferencës ndërkombëtare të SIDA-s.

Njëri prej pacientëve ka të paktën 4 muaj që nuk merr asnjë mjekim dhe nuk jep shenja të një rishfaqjeje të virusit. Megjithatë, ekipi që realizoi eksperimentin në Brigham and Women’s Hospital, në Shtetet e Bashkuara, nuk nxiton të dalë në përfundimet se kjo mund të jetë zgjidhja kundër sëmundjes së shekullit dhe po pret të vërtetojë plotësisht se virusi nuk rikthehet më.

Infektimi nga HIV-i është i vështirë të kurohet për shkak se virusi fshihet në ADN-në njerëzore duke krijuar disa rezervuare të paprekshme në trup. Mjekimet ndihmojnë që ai të mbahet nën fre, por me ndalimin e tyre virusi ngre krye sërish.

Pakistan, vijojnë sulmet me avionë të telekomanduar

Pavarësisht polemikave të mëdha që kanë ngjallur incidentet e përsëritura të avionëve pa pilotë në Pakistan, një tjetër episod i rëndë ndodh po në këtë vend e shkak janë bërë pikërisht sulmet e aeroplaneve amerikanë.

Zyrtarët vendas të sigurisë janë të bindur se ishte një avion i telekomanduar ai që vrau 16 vetë në një rajon tribal veri-perëndimor. Shënjestra e mësymjes ka qenë një ndërtesë në afërsi të zonës së tregut kryesor të qytetit Miranshah, që njihet si qendër militantësh.

Ky është sulmi i dytë i këtij lloji që kur kryeministri pakistanez Navaz Sharif mori detyrën pas fitores së tij në zgjedhjet e majit. Ai vazhdimisht ka kërkuar t’i jepet fund sulmeve të tilla, për të cilat thotë se shkelin sovranitetin e Pakistanit.

Top Channel