BE-SHBA, hetim i përbashkët për përgjimet

03/07/2013 20:25

Një komision i përbashkët amerikano-europian do të hetojë bashkarisht skandalin e përgjimeve të paautorizuara të SHBA-së, informoi Brukseli të mërkurën.

Ndërkohë, Edward Snowden, ish-punonjësi i Agjensisë së Sigurisë Kombëtare Amerikane, që bëri të ditur ekzistencën e sistemit që kishte përgjuar me miliona biseda telefonike dhe adresa personale emaili e rrjetesh shoqërore në të gjithë botën, vazhdon të mbetet në Moskë, nga ku po përpiqet të sigurojë strehim politik nga përndjekja ligjore në SHBA.

Komisionerja e Drejtësisë në BE, Viviane Reding, deklaroi se grupi i përbashkët i hetimit do të takohet brenda korrikut, për të caktuar thellësinë e hetimit të programeve amerikane të survejimit.

“Të dhënat që kanë dalë në dritë duhet të na shërbejnë si një telefonatë zgjimi, mbi nevojën e përmirësimit të sistemeve tona të mbrojtjes”, deklaroi Reding.

Komisionerja gjithashtu i kërkoi Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Ëillaim Hague, që të qartësojë qëllimin dhe funksionin e plotë të programit britanik “Tempora”, i ngjashëm me programin e spiunimit të përdorur prej Uashingtonit zyrtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA