Meksikë, 46 femra i shpëtojnë trafikimit

02/07/2013 03:15

Autoritetet në Mexico City bënë të ditur se kanë shpëtuar 46 gra, pas dështimit të trafikimit të tyre për qëllime shfrytëzimi seksual.

Mes grave të shpëtuara janë 27 meksikane dhe 19 të huaja, njoftuan hetuesit e Mexico City, nëpërmjet një deklarate.

40 njerëz janë arrestuar pas një bastisjeje të klubit të kërcimit mbi tavolina “Cadillac”, në kryeqytetin e Meksikës, përgjatë fundjavës. 14 prej tyre përballen me akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, lexohej në deklaratë.

Në 2011-n, Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Mexico City zbuloi se kishte shifra “alarmante” të trafikimit në të gjithë metropolin meksikan.

Edhe pse rreth 10 mijë gra kanë qenë viktima të trafikut njerëzor në kryeqytetin e Meksikës në 2010-n, ka patur vetëm 40 hetime ndaj këtij krimi dhe vetëm 3 dënime në qytet, gjatë atij viti, sipas një raporti nga organizata.

Që prej atëherë, vendi ka ndryshuar kushtetutën për të luftuar trafikun njerëzor, duke e konsideruar atë një krim federal, të ndëshkueshëm deri në 40 vjet burgim.

Gjithashtu, ai shënjestron jo vetëm ata, që përfshihen në trafikun për shfrytëzim prostitucioni, por edhe forma të tjera moderne të sllavërimit, përfshi punën e detyrueshme dhe pornografinë e të miturve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA