Një operacion i përbashkët anti-drogë midis Kinës, Laosit, Mianmarit dhe Tajlandës rezultoi në arrestimin e 2 534 trafikantëve, të cilët transportonin lëndën narkotike nëpërmjet mjeteve ujore në lumin Mekong.
Lajmi u raportua të martën nga Agjensia Kineze e Lajmeve “Xinhua”.
I mbiquajtur “Operacioni Lumi i Pastër”, ai çoi në sekuestrimin e 9,78 tonëve lëndë narkotike në cilësinë e provave materiale, së bashku me 38 armë zjarri, 3,6 milionë dollarë dhe 260 tonë lëndë kimike, të përdorura në procesin e prodhimit të drogave sintetike.
Në total, rreth 1 800 persona u arrestuan në flagrancë në operacionin e zhvilluar në muajt prill-qershor, ndërsa të tjerët u prangosën pas dëshmive që dhanë të ndaluarit.
Heroina dhe metamfetamina ishin drogat kryesore të sekuestruara.
Në bazë të ligjit kinez dhe atij tajlandez, shumica e të arrestuarve rrezikojnë dënimin me vdekje, ndërsa disa prej tyre do të ndiqen edhe për disa raste vrasjesh të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Top Channel