Avioni i liderit bolivian devijon, prej Snowden-it

02/07/2013 01:50

Avioni i presidentit të Bolivisë, Evo Morales, ka devijuar për në Austri për shkak të dyshimeve se spiuni i inteligjencës amerikane, Edward Snowden ndodhej në bord, bëri të ditur Ministria e Jashtme.

David Choquehuanca mohoi që Snowden të kishte qenë në aeroplan, teksa Franca dhe Portugalia raportohen të kenë refuzuar lejimin e fluturimit me destinacion Bolivinë të kalonte mbi hapësirën e tyre ajrore.

Snowden po kërkon azil në disa vende, në mënyrë që të shmangë ekstradimin në SHBA, ku akuzohet për nxjerrjen e sekreteve të zbulimit amerikan.

Choquehuanca tha për reporterët, të martën, se Franca dhe Portugalia mbyllën hapësirat e tyre ajrore për shkak të një “gënjeshtre të madhe” se Snowden ndodhej në bord.

“Nuk e dimë se kush e shpiku këtë gënjeshtër, por duam të denoncojmë te komuniteti ndërkombëtar këtë padrejtësi që i është bërë avionit të presidentit Evo Morales”, tha ai.

Presidenti i Bolivisë ka qenë për një vizitë në Moskë, ku ish-analisti i CIA-s është mbyllur në një zonë tranziti të aeroportit, prej më shumë se 1 jave.

Refuzohen kërkesat e Snowden për azil
Shumë shtete, që ai ka listuar, kanë refuzuar të ofrojnë strehim

Mundësitë e Edward Snowden-it për të siguruar azil politik sa vijnë e
tkurren. Numri i vendeve, që e refuzojnë kërkesën e tij po rritet.

Një sërë shtetesh, përfshirë Spanjën, u justifikuan duke thënë se aplikanti duhet të ndodhet në tokën e tyre, në mënyrë që të ketë një pretendim të tillë.

Ish-kontraktori i CIA-s, njeriu që ekspozoi programin e fshehtë amerikan të përgjimeve, po përpiqet me çdo kusht të shmangë ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.

30-vjeçari, që aktualisht ndodhet në një aeroport të Moskës, u dërgoi kërkesa për azil 21 shteteve, por ka tërhequr aplikimin për strehim politik në Rusi.

Një zëdhënës i Vladimir Putin u shpreh se Snowden ndërroi mendje, pas deklaratës së presidentit rus, që tha se ish-punonjësi i CIA-s mund të qëndronte në vend, vetëm nëse nuk nxirrte më informacione sekrete të zbulimit amerikan.

ËikiLeaks, që në këtë situatë ka dalë në krah të Snowden-it, sqaroi se kërkesat e tij për azil i janë drejtuar, veç të tjerash, edhe Kinës, Indisë, Brazilit e disa vendeve europiane, përveç aplikimeve të mëparshme për strehim drejtuar Ekuadorit dhe Islandës.

Presidenti i Bolivisë, Morales, ka lënë një dritare shprese të hapur për të, me pohimet se do ta shqyrtojë mundësinë e strehimit politik. Mbështetje për Snowden-in shprehu edhe presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, i cili thotë se, pavarësisht faktit që 30-vjeçari nuk ka paraqitur një kërkesë zyrtare për azil në Venezuelë, ai meriton të mbrohet nga Amerika.

Snowden, i përballur me akuzat për spiunazh në vendin e tij, theu heshtjen e tij një javore të hënën, duke akuzuar administratën Obama se po u bën presion shteteve, ku ai është duke kërkuar mbrojtje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA