Tenderi 25 mln euro i Pollos

28/06/2013 20:10

Vetëm një javë para zgjedhjeve, ministri në ikje i Inovacionit, Genc Pollo ka hedhur firmën mbi një tender të shumëpërfolur për ndërtimin e rrjeteve dixhitale të televizionit publik.

Përmes një urdhëri që mban datën 17 qershor, Genc Pollo ia ka dhënë kontratën me vlerë 25 milionë euro dy kompanive, e para me emrin “Rod and Shvarc”, ndërsa e dyta e quajtur “Ericson A.B”.

Me shpalljen fituese të dy kompanive, kreu i Inovacionit ka urdhëruar edhe ngritjen e grupit të punës që do të negociojë me shpejtësi dy kontratat e veçanta me të dyja këto kompani.

Që në fillim proçedura e ndjekur nga Ministria e Inovacionit për këtë tender është cilësuar nga opozita e djeshme si një aferë e pastër korruptive.

Deputetët socialistë, ekspertë të fushës, kanë akuzuar se proçedura është antiligjore dhe shuma prej 25 milione eurosh që do paguhet nga taksat e qytetarëve është e fryrë dhe do të shkojë në xhepat e zyrtarëve që kanë administruar tenderin.

Por ky nuk është vendimi i vetëm me urgjencë. Një ditë më parë qeveria e rënë në zgjedhjet e 23 qershorit ka miratuar një tjetër kontratë konçesionare të pakërkuar.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një porti jahtesh në Porto Palermo, ku qeveria ka miratuar propozimin e njënashëm të një kompanie private, duke e favorizuar atë edhe me një bonus me 8 për qind të pikëve.

Kompania quhet “Studio AMZ” dhe figuron e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me aksionerë dy shtetas italianë dhe një shqiptar.

Miratimi i një kontrate konçesionare të pakërkuar vetëm pak ditë pas zgjedhjeve që rrëzuan qeverinë ngre jo pak pikëpyetje nëse jo ligjore, të paktën morale mbi vendimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA