Mundësia e humbur e Brazilit

28/06/2013 00:00

Kryetari i Bashkisë së Rios në Brazil deklaroi se vendi i tij humbi një mundësi të artë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe luftës kundër korrupsionit pas vendimit që i dha të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2014 dhe Lojërave Olimpike 2016.

Eduardo Paes foli për televizionet vendase në të njëjtën ditë kur në Fortaleza, në veri-lindje të vendit protestuesit përlesheshin për të disatën ditë me radhë. Ai tha se vendi duhej të kishte përfituar nga këto dy vendime për të investuar shumë herë më shumë në shëndetësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Të paktën 90 persona u arrestuan në Fortaleza ditën e enjte. Protestuesit u mblodhën në afërsi të stadiumit të këtij qyteti ku u zhvillua takimi Spanjë-Itali. Kërkesat e tyre mbeten të njëjtë, shërbime me të mira shëndetësore, arsim më cilësor dhe kryesorja luftë kundër korrupsionit.

Në indekset ndërkombëtare të matjes dhe perceptimit të korrupsionit, Brazili ndodhet në zonën e vendeve problematikë. Miliarda dollarë përllogariten humbjet nga ky fenomen, ndërkohë që qeveritë, megjithëse kanë patur suksese të pjesshme, përgjithësisht kanë dështuar në luftën kundër tij.

Top Channel